Mulla Murat Halit Ef. Vejseli – [1951 – 1999]
Shkruan: Mr. Beqir Memeti
Në rrjedhën e ngjarjeve që përcaktojnë fatin e popullit të trojeve shqiptare gjatë historisë, pa dyshim, gjejnë vend të merituar edhe ulemaja/dijetarët shqiptarë të territorit të Tetovës. Populli ynë ndër vite e shekuj ka nxjerr figura të shquara të cilët me veprën dhe dijen e tyre kanë lënë gjurmë në historinë e popullatës shqiptare, ata jo vetëm që hynë në histori, por edhe e bënë historinë e këtyre trojeve. Një ndër figurat e shquara është edhe mulla Murat ef. Vejseli.
Ai ka shërbyer si faktor i rëndësishëm frymëzimi për brumosjen e ndjenjave të pastra të besimit dhe të atdhedashurisë, të solidaritetit dhe të mbështetjes së vlerave dhe traditave të besimtarit të mirë.
Mulla Murat ef. Vejseli lindi në fshatin Xhepçishtë të Tetovës me 28 dhjetorë të vitit 1951, rridhte nga një familje tradicionale fetare me traditë hoxhallarësh, të cilët gjithmonë kanë qenë në shërbim të fesë dhe të popullit. Arsimin fillor do ta përfundojë në fshatin e lindjes, kurse më pas do ta përfundojë edhe medresenë Alaudin në Prishtinë – R. e Kosovës.
Pas përfundimit të medresesë, regjistrohet në Universitetin e Prishtinës Fakulteti Filologjik dega e Orientalistikës. Në vitin 1972 me insistim të hfz. Halit Vejselit ( njëherazi babai i Murat efendiut) dhe hfz. Sheip Sadikut ( njëherazi daja i Murat efendiut) studimet universitare i vazhdon në Damask – Siri, ishte prej gjeneratave të para që studionin ne tokat arabe.
Pas përfundimit të studimeve kthehet në vendlindje. Për dy vite radhazi angazhohet me detyrën e imamit gjatë muajit të Ramazanit në fshatin Dinoshë, të Tuzit (Mal të Zi). Pas dy viteve do të angazhohet në fshatin e lindjes, Xhepçisht, si ligjërues (vaiz) për xhuma dhe muajin e Ramazanit.
Në periudhën e viteve 1980-1987, mulla Murat ef. Vejseli do të punoj si imam në fshatin Novosellë të Tetovë. Angazhimin si imam do ta vazhdoj në vitet 1990-1998 në fshatin Gorancë të Hanit te Elezit, Republika e Kosovës. Në vitin 1998, pas vdekjes së imamit hfz. Llukman Ismailit dhe pensionimit të vaizit dhe mualimit hfz. Nuhi Aliut, mulla Murat ef. Vejseli do të rikthehet në fshatin e lindjes, Xhepçisht dhe me përkushtim të madh do të shërbej për një vit si imam, vaiz dhe mualim.
Murat ef. Vejseli mbahet mend si shumë i afërt me xhematin, e në veçanti rininë, nxënësit, studentët gjithnjë do të reflektojë tek ta besnikëri, drejtësi, sinqeritet dhe te të gjithë xhemati do ta mbjellë edukatën se si duhet të jetë një besimtar i mirëfilltë. Ai nuk kurseu asgjë nga jeta e tij vetëm që të jetë në shërbim të popullit dhe të institucionit ku vepronte.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, do të shkoj për vizitë në fshatin Gorancë, ku kishte shërbyer si imam tetë vite para luftës, gjatë rrugës në afërsi të Shtimes pas një aksidenti rrugor, vdes më 4 gusht 1999.
Mulla Murat ef. Vejseli, u varros në varrezat e fshatit Xhepçishtë të Tetovës.