Hfz. Halit Abdirahim Vejseli – [1918 – 1997]

Shkruan: Mr. Beqir Memeti
 
Hafizët e Kur’ani kerimit, për vetë faktin se i përkushtohen mësimit të Kur’anit përmendësh, radhiten ndër dijetarët në kuptimin e gjerë të fjalës, sepse vetëm njerëzit me dije mund ta udhëheqin popullin në rrugë të mbarë të zhvillimit dhe të përparimit. Këta janë njerëz, të cilët në frymën e porosive kur’anore kanë qenë në shërbim të popullit pa kursyer jetën, lirinë individuale, apo shëndetin individual dhe familjar.
 
I tillë ishte edhe Hfz. Halit Vejseli, një prej këtyre hafizëve që pa hezitim e ka kryer misionin e tijë në lokalitetin e Xhepçishtit, po edhe më gjerë.
 
Hfz. Halit Vejseli lindi në fshatin Xhepçisht në vitin 1918.
 
Rridhte nga një familje tradicionale fetare, të cilët gjithmonë kanë qenë dhe janë në shërbim të fesë dhe të popullit. Arsimin fillor katërvjeçar, në gjuhën serbe, do ta përfundojë në fshatin e lindjes, kurse më pas do të vazhdoj hifzin te hfz. Shatoku në Xhamin e Çarshisë – Tetovë, kurse do ta përfundoj në vitin 1946 në qytetin e Shkodrës ( R. e Shqipërisë ).
 
Në janar të vitit 1945 rekrutohet në ushtrinë Jugosllave me shkasin për të shkuar në frontet e Stremit, kundër forcave gjermane.
 
Në Prizren të gjithë ushtarët shqiptarët u çarmatosën me arsyetimin se do të lodheshin nga rruga dhe se kur të mbërrinin në front do të pajiseshin me armë moderne angleze.
 
U nisën për në Mal të Zi të ndarë në tri grupe, ku në Tivar do të stërviteshin para se të shkonin në front.
 
Kur kolona mbërriti në Tivar, pjesa më e madhe e shqiptarëve u vranë kurse një pjesë e tyre u arratisën.
 
Hfz. Halit Vejseli ishte njëri prej të arratisurve, i cili i shpëtoi masakrës, dhe u vendos në qytetin e Shkodrës – R. e Shqipërisë, ku do ta vazhdoj hifzin bashkë me Abdulla Lezhën.
 
Pas përfundimit të hifzit, do të angazhohet si imam në f.sh. Dinoshë ( komuna e Tuzit-Mal i Zi ).
 
Në vitin 1947 kthehet në vendlindje dhe angazhohet në Xhamin e Xhepçishtit në muajt e Ramazanit.
 
Në rrethanat e ndryshme, hoxhallarët/ulematë shqiptarë, që në shumicën dërmuese të rasteve ishin edhe mësues në shkollat e kategorive të ndryshme, shquhen për një qëndrim dinjitar. Ata kurrë nuk lejuan që besimi/feja të bëheshin pengesë në përparimin e popullit tonë. Veprimtaria e Hafiz Halitit aspak nuk pushoi deri në kalimin e tij në amshim. Sa herë që e kërkonte nevoja, ai ishte në shërbim të popullit, si hoxhë, si këshilltarë por edhe si njeri i vullnetit të mirë.
 
Hfz. Halit ef. Vejseli, ndërroi jetë në moshën 79 vjeçare më 8 korrik të vitit 1997, dhe u varros në varret e f.sh. Xhepçisht të Tetovës.

You may also like...