Mulla Bahri Bexhet Memeti – [1923 – 1986]

Shkruan: Mr. Beqir Memeti
 
Në rrethanat e ndryshme shoqërore, ulematë shqiptarë, të cilët në shumicën e rasteve ishin edhe edukatorë në shkollat e kategorive të ndryshme, shquhen për një qëndrim dinjitoz. Ata kurrë nuk lejuan që besimi/feja të bëhen pengesë në përparimin e popullit tonë.
 
E tillë ishte edhe veprimtaria e Mulla Bahri Memetit nga f. sh. Xhepçisht i Tetovës. Ai nuk pushoi kurrë deri në kalimin e tij në amshim në angazhimin për mirëqenien e popullit të tij. Sa herë që e kërkonte nevoja, ai ishte në shërbim të popullit, si hoxhë, si këshilltar, por edhe si njeri i vullnetit të mirë.
 
Mulla Bahri ef. Memeti ishte njëri nga hoxhallarët e këtyre trevave, i cili gjatë gjithë jetës së tij e ka dëshmuar shembullin e unitetit, respektit ndaj njeriut dhe njerëzores, shembullin e paqes dhe stabilitetit. Ai dhe gjenerata e tij e hoxhallarëve shqiptarë të asaj periudhe me vokacion nuk ishin politikanë dhe politika nuk ishte profesion i tyre, por ishte vetëdija e tyre morale e politike, si sintezë e dy komponentëve kryesore, pra patriotizmi dhe besimi, që i vuri ata në krye të ngjarjeve të mëdha të kombit, me të cilat jo vetëm që hynë në histori, por edhe e bënë historinë. Ata ishin gjenerata e hoxhallarëve që me përkushtimin më të madh i dhanë përkrahje pa rezervë arsimimit të gjeneratave të para të studentëve të asaj kohe.
 
Mulla Bahri ef. Memeti lindi në fshatin Xhepçisht të Tetovës në vitin 1923.
 
Rridhte nga një familje tradicionale fetare me traditë hoxhallarësh, të cilët gjithmonë kanë qenë në shërbim të fesë dhe të popullit. Arsimin fillor katërvjeçar, në gjuhën serbe, do ta përfundojë në fshatin e lindjes, kurse më pas do ta përfundojë edhe medresenë El-hidaje në Xhaminë e Çarshisë – Tetovë. Pas përfundimit të medresesë, do të angazhohet si ndihmës-imam dhe njëkohësisht e ka zëvendësuar babanë e tij, mulla Bexhet Memetin, i cili shërbente si myezin. Edhe pas punësimit, ai do të vazhdojë të marrë mësim në ligjëratat javore, të cilat hfz. Shukriu nga fshati Miletinë i mbante çdo të enjte në xhaminë Gamgam në Tetovë.
 
Mulla Bahriu ishte njohës i mirë i shkencës së fik’hut (dispozitat e sheriatit) dhe i shkencës së tefsirit (komentit të Kuranit).
Pas pensionimit të mulla Bexhetit, në shtator të vitit 1968, ai do të punësohet si myezin dhe njëkohësisht do të shërbejë edhe si ndihmës-imam deri në vitin 1986, kur, për shkaqe shëndetësore, do të largohet nga detyra.
 
Mulla Bahri ef. Memeti ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare, më 21 tetor të vitit 1986, dhe u varros në varret e f. Xhepçisht të Tetovës.

You may also like...